Pas 13 vitesh të lavdishme, 28 trofeve të fituar dhe një Topi të Artë, Luka Modric është gati t’i japë fund aventurës së tij te Real Madridi. Mesfushori kroat 39-vjeçar do të luajë edhe në Kupën e Botës për Klube me “Los Blancos” përpara se të nisë një fazë të re në karrierë, ndoshta larg Europës. Largimi i tij nuk është thjesht një humbje teknike, por edhe një goditje e madhe në aspektin simbolik dhe emocional për dhomën e zhveshjes së klubit më të madh në histori. Por pyetja që po ngjall kuriozitet në Madrid është: kush do ta veshë tani fanellën me numrin 10, simbol i kreativitetit dhe madhështisë? Sipas asaj që raporton ‘AS’, gara për këtë fanellë ikonike pritet të zhvillohet mes Kylian Mbappé-së dhe Jude Bellingham-it, dy prej ‘yjeve’ më të mëdhenj të së tashmes dhe së ardhmes së Realit. Mbappé aktualisht ka zgjedhur numrin 9 në Madrid. Por dëshira për të qenë trashëgimtari i Modric-it dhe për të pasur një simbol të tillë në fanellë është reale. Nga ana tjetër, Jude Bellingham, që ka shkëlqyer me fanellën numër 5, një numër me simbolikë të thellë pasi ishte zgjedhja e Zinedine Zidane, duket se është i gatshëm të kalojë te numri 10 për të konfirmuar statusin e tij si lider i ri i “Los Blancos”. Kushdo që ta fitojë këtë betejë, një gjë është e sigurt: numri 10 i Real Madridit do të vijojë të shkëlqejë në skenën më të madhe të futbollit botëror.
sfidanti.al