Raphinha: Dua ta mbyll karrierën këtu

Raphinha firmosi të enjten rinovimin e merituar me Barcelonën deri në vitin 2028, çka i garanton të paktën edhe tri sezone të tjera si ‘blaugrana’. Megjithatë, anësori dëshiron më shumë, sepse në deklaratat e tij të para për mediet e klubit, pranoi se ëndrra është të tërhiqet nga futbolli pikërisht te klubi që i ka rrëmbyer zemrën. “Kam folur me familjen time dhe ëndrra është të qëndroj këtu deri në fund të karrierës. Shpresoj ta bëj këtë në nivelin tim më të mirë”, – rrëfeu Raphinha, i cili në moshën 28-vjeçare ka ende shumë futboll për t’i dhënë Barçës. Braziliani vlerëson veçanërisht besimin që i ka dhënë Joan Laporta: “Kam folur me presidentin dhe ndiej se klubi dhe të gjithë përgjegjësit kanë besuar tek unë për herë të dytë. Kjo është shumë domethënëse për mua. Është diçka e veçantë të ndihesh njëri nga ju (në referencë për tifozët e Barçës) edhe për një vit më shumë. Më bën shumë të lumtur, një nga objektivat e mi personalë që kur erdha ka qenë t’iu jap shumë gëzime tifozëve”. “Dëshira për të fituar me këtë fanellë është gjithmonë objektivi kryesor, – shpjegoi Raphinha, i cili gjithashtu pranoi se nuk e priste një sezon kaq të mirë. – Gjithmonë kam thënë se do të jap gjithçka për këtë fanellë. Ndonjëherë jam mirë, ndonjëherë jo aq shumë, por gjithmonë jap gjithçka në stërvitje dhe në ndeshje”. Këtë sezon ka mbajtur shumë herë shiritin e kapitenit dhe roli i tij në dhomën e zhveshjes po rritet vazhdimisht: “Tani do të jem Raphinha babai, kapiteni, tipi që duhet të jetë më i përgjegjshëm. Jo se nuk isha, por me kalimin e viteve bëhesh më i pjekur. Mund të piqem edhe më shumë me ndihmën e stërvitjeve dhe ndeshjeve, shpresoj të bëhem një person dhe futbollist më i mirë”.

sfidanti.al