Shqiptarët e radhëve të gjata rikthehen të përjetojnë emocionet e pritjes rreth një dekadë pas ngjarjeve të grupit eleminator ku Serbia vizitoi Elbasanin dhe u largua me një fitore të lehtë në një stadium VIP-ash. Në ëtë kohë, FSHF e justifikoi vendimin me mungesën e kushteve të sigurisë për të mos u përsëritur më Beogradi me flamurin e famshëm të Shqipërisë së Madhe por në të vërtetë, e gjithë skema e çoi ujin në mullirin e miqve të pushtetit dhe federatës të cilët mësynë në stadium për të ndjekur në radhën e VIP-ave një ndeshje “varri”, tërësisht e kundërt me tablonë që prisnin serbët, aq sa edhe vetë stafi i miqve e konsideroi atë transfertë një fundjavë turistike në Shqipëri. Këtë herë, në vitin 2025, pritja ka një shije ndryshe, ajo është “online” dhe pa siklete fizike por me një pikëpyetje të madhe: si do të përzgjidhen fituesit? Si goglat e telebingos apo me sikletet e sistemit VAR? Si po menaxhohet procesi? Zyrtarisht në shitje do të jenë dicka më pak se 20 mijë bileta dhe me siguri procesi do të cilësohet si transparent por mundësitë janë të mëdha që edhe “Arena Kombëtare”, ashtu si “Elbasan Arena” të bëhet “Arena” e qokave dhe njerëzve me më shumë pushtet e njohje, ndërsa shqiptarët e thjeshtë do të vazhdojnë të mbajnë radhën në ethet për një biletë.
Nga Pirro Bardhyli