Wirtz te Bayern Munich, gati oferta

Florian Wirtz, fantazisti i Bayer Leverkusen, është objektiv kryesor i Bayern Munich për një transferim të mundshëm në verë. Sipas “Team Talk” dhe “Bild”, klubi bavarez është në fazë të avancuar të bisedimeve dhe pritet të paraqesë ofertën e parë zyrtare në javën e ardhshme. Bayern është i gatshëm të ofrojë një pagë vjetore prej 20 deri në 25 milionë euro për Wirtz, duke e bërë atë një nga lojtarët më të paguar të skuadrës. Thuhet se lojtari dhe familja e tij preferojnë një kalim drejt kampionëve gjermanë, çka e bën marrëveshjen të mundshme në aspektin personal.

Megjithatë, ekzistojnë disa çështje të brendshme që mund të ndikojnë në realizimin e këtij transferimi. Njëra prej tyre lidhet me përputhshmërinë taktike të Wirtz me Jamal Musiala, i cili ka rinovuar kohët e fundit me Bayernin dhe ka një rol qendror në skemën e ekipit. Lëvizja e Wirtz mund të kërkojë rishikim të vendosjes së dy lojtarëve me profil të ngjashëm në fushë. Për më tepër, struktura e pagave në klub është gjithashtu një faktor që po shqyrtohet. Për shembull, negociatat me Leroy Sané për rinovimin janë vonuar, pjesërisht për shkak të diferencave në kërkesat financiare dhe ofertën e klubit.

Një tjetër faktor në favor të transferimit është lidhja kontraktuale e Wirtz me Adidas-in, sponsori kryesor i Bayern Munich. Duke qenë se Bayerni klasifikohet në kategorinë më të lartë nga Adidas (kategoria A), ndërsa Leverkusen është në një klasifikim më të ulët (kategoria C), një transferim në Mynih do t’i sillte Wirtzit përfitime të shtuara financiare edhe jashtë pagës bazë. Wirtz ka rënë dakord në parim me Bayernin, në rast se transferimi konkretizohet në një nga dy afatet e ardhshme kalimtare.

sfidanti.al