Sezoni i mbyllur është konsideruar si dështim te Partizani, skuadër që gjithmonë synon titullin kampion, ndërsa këtë herë u eliminua nga Egnatia në gjysmëfinale. Kjo ka bërë që te kryeqytetasit të nisin të mendojnë për ndryshime, me synimin për të përmirësuar rezultatet në sezonin e ardhshëm. Mësohet se është zhvilluar një takim mes presidentit Gazment Demi dhe strukturave drejtuese të klubit, ku është përgatitur një plan pune për sezonin e ardhshëm. Ky plan përfshin aspekte organizative, teknike dhe të merkatos, si dhe përcaktimin e roleve dhe përgjegjësive për secilën hallkë të strukturës. Një element i rëndësishëm në këtë proces është roli i trajnerit Skënder Gega, i cili është vendosur në qendër të projektit të ri. Gega do të ketë fjalën e fundit sa i përket përbërjes së skuadrës, si për të ardhmen e lojtarëve aktualë, ashtu edhe në lidhje me afrimet e reja. Drejtuesit do të kenë rol sugjerues dhe mbështetës, por trajneri do të jetë ai që do të vendosë përfundimisht për lëvizjet në merkato.
sfidanti.al