“Shpërthejnë” legjionarët, 3 gola të shënuar nga kuqezinjtë

Fundjava ishte tejet pozitive për disa nga legjionarët kuqezi në Europë. Kristjan Asllani realizoi golin e dytë sezonal në Serinë A italiane. Mesfushori i Shqipërisë, ishte autori i golit të dytë për Interin, në fitoren 2-0 ndaj Torinos në transfertë. Në minutën e 50-të, futbollisti nga Elbasani u tregua i saktë nga pika e penalltisë, duke mposhtur portierin serb të Torinos, Milenkoviç-Saviç. Ky i fundit njihet si ekspert i penalltive, por ndaj Asllanit dështoi. Përballja mes tyre, vjen pak javë para duelit të zjarrtë mes Shqipërisë dhe Serbisë, sfidë e planifikuar për tu luajtur më 7 qershor.

Rrugën e rrjetës e gjeti edhe Adrion Pajaziti, i cili vazhdon të shkëlqejë në Kroaci, aty ku është pjesë e skuadrës së Gorica.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, realizoi në një ndeshje shumë të rëndësishme. Pajaziti shënoi golin e vetëm të skuadrës së tij, në barazimin 1-1 ndaj Hajduk Split.

Me këtë barazim, Gorica ka siguruar matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit kroat.

Ky është goli i tretë në pesë ndeshjet e fundit për Pajazitin, që duket se ka gjetur formën më të mirë të mundshme në Kroaci.

Pajaziti është në pronësi të anglezëve të Fulham, ndërsa te Gorica luan si i huazuar.

Në Rusi, Mirlind Daku u rikthye te goli te Rubin Kazan. Sulmuesi i Shqipërisë, i dha fitoren skuadrës së tij, me një realizim në minutat e fundit. Ky gol rezultoi vendimtar, pasi i dha fitoren minimale Rubin Kazan ndaj Rostov në kampionat. Ky është goli i 12-të sezonal për Dakun në 24 ndeshje të zhvilluara. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk shënonte që në muajin mars me fanellën e skuadrës së tij në kampionatin rus, por sot ka qenë pikërisht momenti i tij. Megjithatë, shqiptari do të mungojë në ndeshjen e radhës, për shkak se plotësoi numrin e kartonëve të verdhë.

sfidanti.al