Partizani fiton Kupën e Shqipërisë U-17, mposht Apoloninë 3-1 në finale

Për të dytin vit radhazi, Partizani është fituesi i Kupës së Shqipërisë për grupmoshën U-17, pasi mundi në finale Apoloninë U-17 me rezultatin 3-1. Në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në fraksionin e dytë, të kuqtë shënuan dy gola të shpejtë brenda dy minutash. Fillimisht, në minutën e 59-të falë një autogoli, ndërsa në të 60-ën për Partizanin shënoi Ergit Hyka. Apolonia rihapi ndeshjen në minutën e 67-të, pasi gjeti rrugën e rrjetës me Alvin Mahmutajn, por fierakët mbetën me 10 lojtarë në minutën e 76-të, pasi Bregovina u ndëshkua me karton të kuq. Partizani vulosi fitoren në fundin e takimit me Dion Vatën, i cili realizoi golin e tretë. Në përfundim të kësaj sfide u zhvillua edhe ceremonia e rastit nga FSHF. Drejtori i Departamentit të Garave, Marjus Sulejmani, shpërndau medaljet për të dyja ekipet dhe i dorëzoi trofeun Partizanit U-17. Një sezon shumë i suksesshëm për të kuqtë, që mbyllet me fitimin e dy titujve më të rëndësishëm për grupmoshën U-17; titullin kampion U-17 dhe Kupën e Shqipërisë U-17.

sfidanti.al