Vllaznia është finalistja e parë për titullin kampion në Superiore. Shkodranët triumfuan 2-1 ndaj Dinamos në stadiumin “Arena Kombëtare”. Dinamo kishte rastin e parë të artë me Mandelën në minutën e 7-të. Sulmuesi gaboi gjithçka përballe portierit, duke gjuajtur jashtë. Në minutën e 17-të, arbitri akordoi penallti për Dinamon, por e anuloi atë pas rishikimit të pamjeve në VAR. Një pritje spektakolare nga Teqja në minutën e 22-të, i mohoi supergolin Klinti Qatos. 5 minuta më vonë, Meksi bëri një ndërhyrje vendimtare, duke i mohuar golin Grudës.
Në minutën e 28-të, Vllaznia fitoi penallti, pas prekjes me dorë nga Mandela në zonë. 11 metërshin e mori përsipër Balaj, i cili nuk gaboi dhe zhbllokoi takimin.
Ishte sërish sulmuesi shkodran, që dyfishoi shifrat në minutën e 36-të, me një tjetër penallti, për prekje të topit me dorë.
Pas dy golave, Dinamo nisi të reagojë, por rezultati nuk ndryshoi në pjesën e parë. Fraksioni i dytë nisi vrullshëm për skuadrën e Dajës, që kishte mundësinë e artë me Zabërgjan, por sulmuesi gaboi i vetëm me portierin. Dominimi i kryeqytetasve u shpërblye në minutën e 51-të, kur Mandela shënoi dhe ngushtoi diferencat në 2-1.
Itodo kishte një tjetër rast të pastër, pasi iu kthye topi nga Jukaj pas gjuajtjes nga Zabërgja, por me portën e boshatisur, sulmuesi gjuajti lart. Qato mund të mbyllte takimin në minutën e 75-të, por mesfushori i Vllaznisë gaboi gjithçka përballë portierit, duke gjuajtur jashtë. Vllaznia bëhet ekipi i parë që kualifikohet në finalen e titullit dhe pret të mësojë kundërshtarin, që do të jetë një mes Egnatias dhe Partizanit.
sfidanti.al