Carlo Ancelotti nuk do të jetë trajneri i ri i kombëtares së Brazilit. Pas muajsh negociatash dhe një marrëveshjeje ekonomike të arritur, 10 milionë euro në vit, federata braziliane (CBF) vendosi të ndërpresë bisedimet për shkak të kundërshtimit të ashpër të Real Madridit, i cili refuzoi të paguante klauzolën për lirimin e trajnerit italian, që ka kontratë deri në vitin 2026. Sipas “Globo Esporte”, marrëveshja parashikonte që Ancelotti të merrte drejtimin e Seleçãos që në fund të majit, për ta udhëhequr ekipin 5 herë kampion të botës në ndeshjet kualifikuese të Botërorit kundër Ekuadorit dhe Paraguajit. Por qëndrimi i palëkundur i klubit spanjoll e detyroi federatën braziliane të tërhiqej përfundimisht nga pista Ancelotti, një mundësi që dështoi edhe dhjetorin e kaluar, kur trajneri italian rinovoi me Realin deri në vitin 2026.
Me tërheqjen e ish-trajnerit të Milanit, siç është raportuar tashmë, kandidati kryesor për pankinën e Brazilit është Jorge Jesus, aktualisht trajner i Al-Hilal. Portugezi, që ka një eksperiencë të suksesshme në Brazil me Flamengon, është tashmë zgjedhja e parë e CBF për ta rilançuar kombëtaren, pas largimit të Dorival Junior në mars.
sfidanti.al