Besa nuk arriti që ta sigurojë ngjitjen direkte në elitë, edhe pse e mbylli me 10 fitore e një barazim fazën e tretë. Rruga e kthimit Tropojë – Kavajë ka zgjatur më shumë se kurrë për futbollistët e Besës. Fitorja ndaj Valbonës nuk u mjaftoi kavajasve përballë fitores me “djersë e sakrifica” të Flamurtarit në Vorë.
Kavajasit dëshmuan forcën e tyre në Vlorë ndaj Flamurtarit dhe moralisht ndihen superiorë, por renditja s’ka “moral”. Për kapitenin Jurgen Goxha, askush nuk ia ka fajin Besës për këtë situatë, dhe, nëse ka një fajtor, kjo është vetëm Besa. “Nuk është hera e parë, që në futbollin shqiptar bëhen qoka, por kur këto vendosin fatet e një viti djerse, kjo pastaj të bën të ndihesh keq. Ne luajtëm në Vlorë dhe Flamurtarit i mjaftonte edhe barazimi, por nuk mundi ta marrë. Më vjen keq për atë dhunë ndaj trajnerit Çela, që fatkeqësisht kaloi në plan të dytë. Nga ai vendim kuptova se çfarë planesh ishin bërë, tek dëgjoja dhe presidentin Idrizi kur i garantonte tifozët se Flamurtari, përtej humbjes me ne, do të ishte 100% në Superiore.
Unë përsëri jam i ndërgjegjshëm të them, se për gjithçka ndodhi nuk na e ka fajin as Flamurtari, as Vora, por vetëm vetvetja. I patëm në dorë pikët me Erzenin, Lushnjën, Pogradecin, Burrelin dhe dështuam. Do të mjaftonte vetëm fitorja me Burrelin para 3 javësh dhe sot do të ishim në Superiore”, u shpreh Goxha. Kavajasit kanë hapur edhe një dritare për Superioren në “play off”. Fillimisht do të ndeshen me Apoloninë dhe, në rast suksesi, me fituesen e çiftit, Burreli – Pogradeci. Duke parashikuar që Besa do t’i fitonte dy ndeshjet, me shumë mundësi përsëri përballë do të ketë një emër të madh nga Superiorja, që mund të jetë edhe Tirana.
Kapiteni Goxha kërkon që ekipi të mos bie pisikologjikisht pas zhgënjimit të javës së fundit. “Është e vërtetuar se Besa ka grupin më të mirë të Kategorisë së Parë. Ne mund të mundim Apoloninë apo të dalim në finale me Tiranën, por i frikësohem anës psikologjike. Stafit, por edhe ne lojtarëve me përvojë, na del si detyrë që të mbajmë të karikuar ekipin. Nëse ia dalim të ringrihemi psikologjikisht, atëherë mbetet të presim fatin tonë”, përfundoi Goxha.
sfidanti.al