Mesazhi i lamtumirës i Messit për Papa Françeskun

Vdekja e Papa Françeskut zhyti në zi Kishën Katolike dhe Lionel Messi, legjenda e futbollit botëror, shprehu trishtimin e tij me një mesazh prekës. Ylli 37-vjeçar, i lidhur thellësisht me atdheun e tij dhe Papnin, i dha lamtumirën bashkatdhetarit me fjalë që prekën miliona njerëz. Me origjinë nga Buenos Aires, Argjentinë, Papa ishte një tifoz i zjarrtë i futbollit dhe mbështetës i ekipit të tij lokal, San Lorenzo. Messi, i cili ka takuar Papa Françeskun në të kaluarën, ka shpërndarë një foto të tyre në Instagram, duke e shoqëruar me një tekst prekës: “Një Papë special, nga Argjentina. Faleminderit që e bëtë botën një vend më të mirë. “Do të na mungosh“, thuhet në postimin e futbollistit argjentinas. Postimi i Messit u bë viral, duke grumbulluar miliona pëlqime dhe komente nga fansat në mbarë botën, të cilët shprehën trishtimin e tyre për humbjen e Papa Françeskut. Lidhja e Messit me Papatin ishte e veçantë, pasi të dy kishin origjinë argjentinase dhe një përkushtim të përbashkët ndaj përulësisë dhe shërbimit social. Lajmi për vdekjen e Papa Françeskut pati një ndikim të menjëhershëm në sport, veçanërisht në Itali, ku ai ishte i vendosur si udhëheqës i Kishës Katolike. Seria A italiane shtyu të gjitha ndeshjet e planifikuara për sot në shenjë zie dhe respekti. Ndeshjet e shtyra u ricaktuan për datën 23 prill.

sfidanti.al