Newcastle United ka konfirmuar se trajneri Eddie Howe është aktualisht i shtruar në spital pasi i është diagnostikuar me pneumoni. Përmes një deklarate zyrtare, klubi anglez bëri të ditur se trajneri do të mungojë për një kohë të pacaktuar, ndërsa ndihmësit e tij, Jason Tindall dhe Graeme Jones, do të drejtojnë ekipin në përballjet e radhës kundër Crystal Palace dhe Aston Villa-s. “Eddie është në duart më të mira të mundshme dhe do të kthehet vetëm kur të jetë plotësisht gati”, deklaroi Tindall në një konferencë për shtypin.
Ai shtoi se nuk ka një datë fikse për rikthimin e trajnerit dhe çdo gjë do të vlerësohet nga mjekët në mënyrë ditore. Howe mungoi edhe në fitoren e fundit kundër Manchester United me rezultatin bindës 4-1, një sukses që e mban Newcastle shumë pranë zonës Champions League, vetëm një pikë larg Nottingham Forest, që ndodhet në vendin e tretë në Premier League. Tindall, që ka bashkëpunuar me Howe prej 17 vitesh, shtoi: “E dimë çfarë kërkese kemi mbi vete çdo ditë, dhe do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin intensitet. Do të bëjmë gjithçka që ekipi të japë performanca që trajneri do t’i vlerësonte.”
sfidanti.al