Rinovimi i kontratës së Cristiano Ronaldo me Al Nassr, klub të cilit iu bashkua në fillim të vitit 2023, duket se është gjithnjë e më i mundshëm. Transferimi i tij në Arabinë Saudite ka hapur rrugën për shumë ‘yje’ të tjerë botërorë të futbollit. Kontrata e sulmuesit portugez përfundon në fund të këtij sezoni, por Ronaldo tashmë ka një ofertë për të rinovuar me klubin, ofertë që është në tryezë prej disa muajsh. Në janar, propozimi parashikonte një rinovim për një vit, por sipas gazetës ‘Marca’, oferta më e fundit nga gjiganti arab është për një periudhë dyvjeçare. Kjo do të thotë se kapiteni i Kombëtares mund të luajë deri në vitin 2027, kur ai të jetë 42 vjeç, por vetëm nëse ai dëshiron.
Sipas raportit të gazetës spanjolle, viti i dytë i kontratës do të aktivizohet vetëm nëse Ronaldo aktivizon klauzolën që i mundëson rinovimin. Përveç kësaj, në ofertë vazhdon të figurojë një pagesë prej 200 milionë eurosh për sezon dhe një përqindje e vogël nga fitimet e klubit. Nëse rinovimi bëhet realitet, hapet mundësia që sulmuesi portugez të arrijë shifrën e 1.000 golave, një objektiv që ai e ka ndjekur me një ritëm të pabesueshëm, duke shënuar aktualisht 934 gola, nga të cilët 96 janë realizuar në 105 ndeshje që ka luajtur me Al Nassr.
sfidanti.al