I kërkoi Mesit autograf, skualifikohet për gjashtë muaj

Kur e gjen veten përballë një kampioni si Lionel Messi, është e vështirë të qëndrosh i heshtur. Edhe nëse je një arbitër ndërkombëtar si Marco Antonio Ortiz Nava, i cili në fund të ndeshjes së Concacaf Champions League mes Kansas City dhe Inter Miami, vendosi t’i kërkojë një autograf kampionit argjentinas. Një veprim në dukje i padëmshëm, por që pasi u përjetësua nga kamerat, ndezi menjëherë një sërë polemikash. Ishin drejtuesit e Kansas City-t që ngritën zërin dhe pasi humbën 1-0 në një ndeshje të luajtur mes -14 dhe -17 gradë, kërkuan ndërhyrje nga MLS dhe Concacaf. Kjo e fundit nuk priti shumë të skualifikonte për gjashtë muaj arbitrin meksikan.

“Sjellja e arbitrit nuk përputhet me kodin e sjelljes së Konfederatës për zyrtarët e ndeshjes dhe procedurat ekzistuese. Arbitri pranoi gabimin e tij, kërkoi falje për incidentin dhe pranoi masat disiplinore të zbatuara nga Concacaf”, shpjegoi Konfederata e Amerikës Qendrore në një deklaratë, duke paralajmëruar efektivisht zyrtarët e saj të ndeshjes nëse do të donin të kryenin veprime të ngjashme në të ardhmen.

sfidanti.al