Për të pasur besim as që mund të bëhej fjalë. Gallatasaraj dhe Fenerbahçse kërkuan gjyqtar të huaj për derbin mes tyre në Superligën e Turqisë, dhe drejtësinë e ndau slloveni Slavko Vincic. Përballja në stadiumin “Ali Sami Jen”, të quajtur “Rams Park” për arsye sponsorizimi, ishte tepër e ashpër dhe e tensionuar, dhe siç pritej jo një spektakël, por një betejë. Përfundoi pa gola, duke I dhënë mundësi Gallatasarajit të ruante epërsinë prej 6 pikësh në krye të renditjes, me shpresa edhe më të mëdha për t’u shpallur kampion.
Gjithsesi, po aq shumë sa derbi, në mos edhe më tepër, tërhoqi vëmendjen Zhoze Murinjo. Trajneri portugez, në stolin e Fenerbahçes, bëri akuza të forta për sjelljen e stolit të rivalëve dhe sidomos për arbitrat turq. “Unë duhet të falenderoj gjyqtarin. Me një simulim të madh në minutën e parë, dhe me stolin e tyre që kërcente si majmunë mbi kurrizin e një kalamani, me një gjyqtar turk do të kishte qenë karton I verdhë në minutën e parë, dhe pas pesë minutash unë do të duhej ta kisha zëvendësuar lojtarin. Pas ndeshjes shkova tek dhoma e gjyqtarëve dhe e falenderova arbitrin që kishte ardhur për këtë duel. Aty ishte edhe arbitri I katërt, që ishte turk, dhe unë I thashë se nëse do të kishte qenë ai në drejtim, ky derbi do të kishte qenë një katastrofë”.
Gallatasaraji reagoi menjëherë me një komunikatë zyrtare duke kërcënuar se do ta dërgojë Murinjon në gjyq për racizëm ndaj popullit turk, dhe se do të informojë FIFA-n dhe UEFA-n. Portugezi 62-vjeçar, I vetëquajtur “Speciali”, është dënuar dhe është gjobitur më parë nga Superliga turke për komentet e bëra pas ndeshjes që Fenerbahçe e fitoi 3-2 në fushën e Trabzonsporit në 4 nëntor të vitit të kaluar. Murinjo akuzoi gjyqtarin e asaj ndeshjeje se po pinte çaj turk në vend që të bënte detyrën, dhe u tall duke thënë se askush në Europë nuk dëshiron të shohë ligën turke.
sfidanti.al