Milani kinez prek sërish fundin, çfarë kataklizmoje ndaj Romës

Të mos e dëgjojë kush se po luhej në “San Siro”! Tifozët e Milanit dolën të dërrmuar nga stadiumi mitik, ndërsa tabela elektronike tregonte rezultatin 1-4. Ishte Roma që sapo u kishte dhënë “një dru të shëndoshë” djemve të trajnerit Vinçenco Montela, ndërsa pronarët e rinj kinezë kuptuan sesa e vështirë do të jetë për ta që të rikthejnë skuadrën e madhe të ndërtuar dikur nga Silvio Berluskoni.

Dy gola nga Edin Xheko, një realizuar nga Stefan El Sharaui dhe penalltia e Daniele De Rosit ishin “shuplakat” që Roma u dha vendasve, duke u rikthyer në vendin e dytë në Serinë A. Diferenca me Juventusin është 7 pikë dhe nëse fitohet ndeshja direkte javën që vjen në “Olimpiko”, atëherë matematikisht mund të luhet për titull (edhe pse duket thuajse e pamundur). Trajneri Luçiano Spaleti mori më në fund një rezultat të madh, në momentin që i duhej më shumë dhe po flitej për shkarkimin e tij. Do të jetë e vështirë të shkarkohet një trajner që ndodhet në vend të dytë në Serinë A, pra kampioni i Italisë, nëse liga do të ishte pa Juven.

Do të jetë e vështirë ndërkaq, që Milani ta marrë veten shpejt. Do të duhen shpenzime të mëdha dhe shumë durim, ndërsa dyshimi është gjithnjë nëse Montela është apo jo trajneri i duhur. Ndoshta do të duhet të kthehet sërish Karlo Ançeloti, pasi Saki e Kapelo tashmë janë shumë të vjetër, ndërsa Alegri ndodhet shumë mirë tek Juvja.

Sfidanti.al