Të kualifikohemi në Champions? Anglezët thonë “jo, faleminderit”!

Mançester Siti më në fund e arriti një fitore të rrallë në 10 ndeshjet e fundit, dhe duket se skuadrës së Guardiolës i është “ndërruar sërish mendja” për Championsin. Nuk duket se i është ndërruar pretendentëve të tjerë. E diela ishte e pabesueshme në Premier Ligë, me Liverpulin fillimisht, dhe pastaj me Mançester Junajtidin që refuzuan të hidhnin një tjetër hap drejt kompeticionit të madh kontinental.

Liverpuli bëri edhe një nga ato gabimet e tij fatale, duke barazuar 0-0 në fushën e vet me Sauthemptonin. Sipas mentalitetit tipik britanik, skuadra mike luftoi fort deri në fund, edhe pse nuk kishte ambicie për asgjë, duke qenë në mesin e tabelës. Skuadra e Jurgen Klopit bëri ç’mos, por e pati të vështirë si gjithnjë të luante disa ndeshje të mira radhazi. Madje, shpërdoroi edhe momentin e artë që iu dha, penalltinë e minutës së 66-të, që e gjuajti Milner, por e ndaloi portieri mik, Foster.

Pas Liverpulit, gaboi edhe Junajtid, edhe pse pritej. Loja ishte në fushën e Arsenalit, në “Emirejts”, me miqtë që i kishin dhënë prioritet Ligës së Europës, ndërsa vendasit kishin një nga shanset e fundit për të synuar Championsin. Londinezët fituan 2-0 me golat e shënuar nga Granit Xhaka, shqiptari i Zvicrës, dhe nga ish-lojtari i Man. Junajtidit, Dani Uelbek.

Në tabelë, Liverpuli ka 70 pikë pas 36 ndeshjeve, Man. Siti ka 69 me 35, Man. Junajtid është në kuotën 65 pikë dhe ka luajtur 35 takime, ndërsa Arsenali ka vërtet dy takime më pak se Liverpuli (34), por ka vetëm 63 pikë. Të shohim se kush do t’i vazhdojë gabimet deri në fund.

Sfidanti.al