Derbi ka dhunë dhe…asnjë fitues

Ndeshja më e lakuar e javës, derbi i kryeqytetit u mbyll në barazim 1-1 por më shumë se rezultati këtë herë foli dhuna në shhallët e “Arenës së Demave. Për herë të parë kjo sfidë u luajt në një kompleks që nuk ofron asnjë kusht sigurie por as ky fakt nuk mjaftoi që ta bindte FSHF-në për të hapur dyert e “Air Albania”.

Ernest kaloi në avantazh Tiranën në pjesën e parë, por Sembene barazoi shifrat në minutën e fundit të kohës së rregullt. Shumë tension dhe shumë kartonë të kuq në fund të sfidës, që u mbyll pa fitues.

Ndeshja ka qenë e luftuar, me Partizanin që u shfaq më kërkues në minutat e para. Por, rrugën e rrjetës e gjeti Tirana, që në mundësinë e parë ndëshkoi “të kuqtë” me Ernest, i cili realizoi një gol shumë të bukur. Me rezultatin 0-1 për bardheblutë u mbyll pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë të lojës, Partizani sulmoi në kërkim të golit të barazimit, por Tirana administroi avantazhin dhe u mundua që të godasë në kundërsulm. Atëherë kur dukej se Tirana do të merrte fitoren që mungonte prej 9 ndeshjesh derbi, është Sembene që shënon golin e barazimit për Partizanin.

Pati tension dhe përplasje mes lojtarëve në fushë pas shënimit të golit. Gjyqtari Hamiti ndëshkoi me kartonë të kuq Taipin, Bytyçin dhe Gudjufin nga Partizani dhe Gjumsin, Markun, Micin, Kozin dhe drejtorin Ibrahimi nga Tirana. Partizani ngjitet në kuotën e 40 pikëve, ndërsa Tirana në kuotën e 23 pikëve.

sfidanti.al