Murinjo-Konte, aleatë për të mbrojtur “kauzën” e trajnerëve!

Kanë qenë dhe mbeten rivalë, madje pati edhe një moment acarimi mes tyre në fazën e parë. Zhoze Murinjo dhe Antonio Konte, gjithsesi, u bënë bashkë së fundmi, në një shfaqje të solidaritetit profesional. Trajneri i Mançester Junajtidit është vënë nën kritika për shkak të deklaratave të tij se dëshiron të luajë me rezerva ndeshje të Premier Ligës për t’u përqëndruar më shumë tek Europa, dhe Konte i ka dalë në mbrojtje.

“Çdo trajner duhet të marrë atë vendim që i duket më i drejti për momentin, – tha trajneri i Çelsit, – Murinjo ka të drejtë të zgjedhë atë skuadër që mendon se i bën më shumë punë. Trajneri e merr vendimin në të mirën e tij, jo për të mirën e Çelsit, Arsenalit apo Totenhemit”. Murinjo pritet të hedhë në fushë skuadër me rezerva edhe ndaj rivali për titull të Çelsit, Totenhemit, por kjo nuk përbën asnjë problem për Konten. “Kur dikush luan në Champions apo Ligën e Europës, atëherë ai duhet të mendojë për ekuilibrin e gjithë sezonit, – tha italiani, – i takon Federatës të gjejë kalendarin e duhur, ndryshe trajneri nuk ka çfarë bën, edhe pse tradita e do që të luhet çdo ndeshje me ekipin më të mirë”.

Murinjo po ashtu mbrojti vendimet e tij. “Le të thonë çfarë të duan, – u shpreh portugezi, – unë duhet të bëj zgjedhjet e mia”. Për më tepër, ai mbron rezultatet e arritura, edhe pe Junajtid është jashtë katërshes së vendeve të para në Premier që të kualifikon për në Champions. “Sezoni ka qenë i mirë, janë luajtur shumë ndeshje, kemi fituar dhe mund të fitojmë trofe, – tha ai, – për mua ka qenë një vit i ndërtimit të skuadrës”.

Sfidanti.al