Pushteti është i ëmbël kudo…nga Gravina te Duka !

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mori pjesë dje në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ku Gabriele Gravina u rizgjodh president për një tjetër mandat. Ashtu si Duka për shumë palë zgjedhje në FSHF, Gabriele Gravina ishte kandidati i vetëm në këtë proces zgjedhor dhe po ashtu si Duka, Gravina rikonfirmoi besimin absolut të komunitetit italian të futbollit tek ai. Si është e mundur që edhe në një vend me futboll shumë herë më të zhvilluar se Shqipëria që në vendin tonë e kemi referencë, mund të rizgjidhet për të disatën herë një njeri që vetë komuniteti nën zë nuk e “honeps”?

Të njëjtët në interesa e gjejnë veten edhe në fund të botës. Duka por edhe Ceferin që ishin të pranishëm në farsën italiane, e ndien veten tërësisht si në shtëpinë e tyre dhe për këtë ka shumë arsye. Ata janë shumë të ngjashëm në interesa, sjellje dhe grykësi. Gravina i tyre ose Duka ynë nuk duan të ndalen në mandatin e dytë apo të tretë dhe këtë objektiv tashmë e ka edhe Ceferin që në krye të UEFA-s erdhi më premtimin e kufizimit të mandateve. Pushteti të ëmbëlson dhe kjo është një formulë që gjen vend edhe në vendet më të zhvilluara të botës, prandaj mandatin e pestë nga anët tona duket se do ta kalojmë sërish…me të qeshur.

Nga Pirro Bardhyli