Mungon Nojer, por Bajerni sërish i falet portierit në Bundesligë!

Manuel Nojer e ka ndjekur ndeshjen si spektator, veçse ka qenë një spektator i lumtur. Shoku i tij i repartit, portieri Shtarke shpëtoi Bajernin nga një barazim zhgënjyes në fushën e vet ndaj Darmshtatit në Bundesligë. Luhej ndeshja e javës së 32-të dhe bavarezët e Ançelotit u duk qartë se mezi po i shtynin minutat, tani që titullin kampion e kanë siguruar.

Huan Bernat e kaloi Bajernin në epërsi në minutën e 18-të, por katër minuta përpara fundit, Hamit Altintop pati mundësi të barazonte kur mori përsipër të gjuante një 11-metërsh. Portieri i vendasve, Shtarke grushtoi dhe mynihasit morën tri pikët. Natyrisht, barazimi nuk do t’i kishte prishur Bajernit asnjë punë, pasi kampionët kryesojn me 76 pikë ndaj 63 të Lajpcigut.

Në javën e 32-të erdhi edhe fitorja shumë e rëndësishme e Dortmundit që mundi rivalin e drejtpërdrejtë për në Champions, Hofenhajmin. Fitorja 2-1 bën që Dortmundi të jetë në vendin e tretë, pozicion që të kualifikon menjëherë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Hofenhajmi ndoshta do të duhet të kalojë plej ofin. Në “Signal Iduna Park” shënuan për vendasit Rojs dhe Obamejang (që humbi edhe penallti), ndërsa miqtë shkurtuar diferencën në fund me anë të Kramariçit, me penallti.

Sfidanti.albajerni1