Ky po, është Siti i Guardiolës, të paktën siguron Championsin

Një Mançester Siti me “pesë yje” ishte skuadra vërtet e Pep Guardiolës, ndërsa keqardhja ishte e madhe për “qytetarët” që janë tërësisht jashtë garës për titull në Premier Ligë. Kur shikon emrat e golshënuesve kupton se çfarë talenti ka kjo skuadër, dhe ndoshta Pep do të jetë në gjendje sezonin e ardhshëm t’i bëjë më të fortët në Angli. David Silva, Vinsent Kompani, Kevin De Brujn, Rahim Stërling dhe Nikolas Otamendi gjetën të gjithë rrugën e rrjetës ndaj Kristal Palasit që rrezikon të bjerë nga kategoria.

Pas dy fitoreve në 9 ndeshjet e fundit, Siti rrezikonte të lejonte parakalimin nga Mançester Junajtid i Murinjos, por kjo nuk ndodhi. Palasit nuk i vlejtën 6 fitoret në 10 takimet  fundit dhe Sem Allërdajs do të duhet ende të djersitet që t’i shpëtojë. Suksesi 5-0 bëri që ekipi i Guardiolës të jetë tani në vendin e tretë, me 69 pikë aq sa Liverpuli, por me golaverazh më të mirë. Pra, në Champions mund të shkohet pa plej of.

“Loja jonë më në fund ishte e nivelit të lartë, – tha Pep pas ndeshjes, – jam i lumtur për tifozët tanë që mund të shohin shumë gola të shënuar nga ne. Gara për në Europë është shumë e fortë, por e rëndësishme është që Championsi është në duart tona. Pas Çelsit dhe Totenhemit jemi ne, ndërsa Liverpuli, Junajtid, Arsenali madje edhe Evertoni mund të pretendojnë”.

Sfidanti.al