Kyle Walker zbulon kush e bindi të kalojë te Milani

Kyle Walker është tani zyrtarisht një futbollist i ri i Milanit nën drejtimin e Sergio Conceição. Mbrojtësi anësor 34-vjeçar ka ardhur në formë huazimi me të drejtë blerjeje, duke lënë pas aventurën te Manchester City pas shtatë vitesh dhe 17 trofeve të fituar. Nuk ishte një vendim i lehtë për përfaqësuesin anglez, i cili ka pasur një lidhje të fortë me Citizens, siç e tregoi edhe letra emocionale e lamtumirës ku falënderoi të gjithë, nga shokët e skuadrës te tifozët, nga pronarët e klubit e deri te Pep Guardiola, njeriu që i ndryshoi karrierën. “Udhëheqja jote më ka ndihmuar të bëhem lojtari që jam sot. Do të jem gjithmonë mirënjohës për këtë,” – ishin fjalët e tij drejtuar trajnerit katalanas. Edhe vendimi për t’u transferuar te Milani, në një kampionat të ri si Serie A dhe një vend të ri si Italia, për të sfiduar veten në moshën 34-vjeçare duke refuzuar ofertat marramendëse nga Arabia Saudite, nuk ishte aspak i lehtë. Në paraqitjen e tij të parë publike si futbollist i Milan, vetë Kyle Walker shpjegoi arsyet e zgjedhjes së tij dhe, mbi të gjitha, kush e bindi të pranonte ofertën e kuqezinjve në vend që t’i dorëzohej tundimit të klubeve arabe. “Tammy (Abraham) më tha që duhet të vija këtu, më ndihmoi të marr këtë vendim. Tifozët këtu janë të jashtëzakonshëm, t’i dëgjosh duke kënduar, të ndjesh mbështetjen e tyre do të thotë shumë dhe do të jetë një shtysë e madhe deri në fund të sezonit,” – deklaroi 34-vjeçari, duke zbuluar kështu rolin vendimtar që luajti bashkëkombësi dhe shoku i tij i kombëtares, Tammy Abraham. Një tjetër anglez me një të kaluar edhe më të ndritur te Milani ka qenë frymëzim për zgjedhjen e numrit të fanellës me të cilën Walker do të luajë pjesën e mbetur të sezonit në Milano: “Kam zgjedhur numrin 32 për David Beckham, një ikonë në vendin tonë,” – theksoi ai në një intervistë për Milan TV, vetëm pak çaste pasi u bë zyrtare kalimi i tij te kuqezinjtë. Sidoqoftë, ai nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e ardhshme të kampionatit, e cila do të zhvillohet të dielën në orën 12:30, ku Milani do të presë Parmën në San Siro, për shkak të disa procedurave burokratike ende të papërfunduara.

sfidanti.al