Donald Trump u betua si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Në Washington DC u mbajt ceremonia e inaugurimit të miliarderit, por, përpara Inauguration Day, gjatë orëve të fundit u zhvillua “victory rally speech”, ku presidenti i ri i SHBA-së foli edhe për futbollin, duke përmendur FIFA-n, presidentin Infantino dhe turnetë që do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.
Në verën e ardhshme do të mbahet edicioni i ri i Kupës së Botës për Klube, ndërsa në vitin 2026 do të luhet Kupa e Botës në SHBA, së bashku me Kanadanë dhe Meksikën. Përveç kësaj, në Los Angeles do të organizohen Lojërat Olimpike të vitit 2028: pra, jo vetëm sporte të ndryshme, por mbi të gjitha futbolli, për Donald Trump. Këto ishin fjalët e presidentit të ri të SHBA-së: “Lojërat Olimpike janë fantastike, pastaj është Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino për Kupën e Botës. Gianni është drejtuesi… kështu që unë do të jem presidenti juaj për Lojërat Olimpike dhe Kupën e Botës. Gianni, faleminderit për Kupën e Botës 2026, dhe ju të gjithë, faleminderit për Lojërat Olimpike 2028. Do të argëtohemi shumë”. Dy ditë më parë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njoftoi për një takim me Donald Trump dhe e falënderoi për mbështetjen ndaj institucionit që drejton futbollin: “Isha i nderuar të takoja presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Mar-a-Lago të Floridës para inaugurimit të tij të afërt. Diskutuam për Kupën e Botës për Klube FIFA këtë verë dhe Kupën e Botës FIFA 2026, dy turne vërtet globalë ku Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol thelbësor si pritës. Faleminderit, zoti President, për kohën tuaj dhe për mbështetjen ndaj FIFA-s në muajt e ardhshëm. Amerika mirëpret botën dhe futbolli bashkon botën.”
Infantino e priti me entuziazëm dhe kënaqësi të madhe zgjedhjen e Trump dhe nuk e fshehu këtë edhe në profilet e tij në rrjetet sociale, veçanërisht sepse gjatë administratës katërvjeçare të Biden ai nuk kishte marrë asnjë ftesë në Washington DC. Gjithashtu, gjatë prezantimit të edicionit të ri të Kupës së Botës për Klube vjeshtën e kaluar, Infantino kishte marrë miratimin e Trump, duke e forcuar më tej lidhjen mes FIFA-s dhe SHBA-së, një marrëdhënie që dukej se ishte dobësuar pas skandalit të korrupsionit brenda institucionit më të fuqishëm të futbollit.
sfidanti.al