Golden Stejt nuk mund “të preket” nga Juta, mendon Grin!

Drejmond Grin ishte heroi jo plotësisht i pritur i përballjes së Golden Stejtit ndaj Jutës. Ndeshja në Arenën e Oklendit në Kaliforni, përfundoi sërish me fitoren e skuadrës vendase, 115-104 dhe Grin ishte lojtari më i mirë në fushë. i vlerësuar si i katërti në radhë ndër yjet e Katërshes së Madhe, Grin luajti në të njëjtin nivel me Kevin Durantin. Ai shënoi 21 pikë, kapi 7 topa në tabela, shëreu 6 asistë, i vodhi 4 topa kundërshtarëve dhe u bllokoi një gjuajtje.

Durant u përgjigj edhe ai shumë mirë, me 25 pikë, 11 topa në tabela dhe 7 asistë, ndërsa Stefën Kërri realizoi 23 pikë, kapi 4 topa në tabela dhe shërbeu 7 asistë. Klej Tompson, nga ana e tij ishte me shifrat 14-6-6, ndërsa të katër yjet i vodhën kundërshtarëve gjithsej 9 topa nga loja. Golden Stejti, nënkampione e NBA-së në fuqi, është tani në epërsi 2-0, ndërsa seria e gjysmëfinales së Perëndimit shkon në Solt Lejk Siti, të dielën në mëngjes.

Favoritët kryesuan 33-15 në përfundim të periodës së parë duke krijuar një avantazh sigurie. Më pas, Juta u afrua, por asnjëherë shumë, dhe momenti më i mirë për miqtë ishte 2 minuta para fundit, kur rezultati shkoi në 109-102 për Uorriorsët. Drejmond Grin shkëlqeu sidomos me pesë kosha për 3 pikë, ndonëse pati një shqetësim nga gjuri. Golden Stejti nuk e kishte në stol përsëri trajnerin Stiv Kerr, ndërsa katër yjet u detyruan të lodheshin disi, pasi nuk pushuan dot më shumë se 12 minuta, në një ndeshje që zgjat 48 minuta kohë efektive.

Sfidanti.al