Kombëtarja na rikthen me këmbë në tokë

Barazimi me Republikën Çeke është ndeshja që më mirë se çdo sfidë tjetër e këtij edicioni të Nations League mund të pasqyrojë në perfeksion atë çfarë përfaqëson kjo skuadër sot. Kuqezinjtë kanë limite të theksuara dhe Euro 2024 mesa duket u mësoi shumë pak. Europiani nuk shërbeu për ta pjekur edhe më shumë skuadrën në mënyrë që ky grup të kishte prezantim ndërkombëtar e këmbë në tokë.

Entuziazmi dhe përjetimi me festë i europianit e ka dëmtuar Shqipërinë që sot duket se zbret në fushë me kujtimet e bukura të Gjermanisë pa e pasur fokusin te e tashmja. Ndeshja e katërt brenda pak viteve me Çekinë i dha një leksion të fortë trajnerit që ka në dispozicion po ata djem por me më pak dëshirë e talent në këmbë. Asani hije e vetvetes e op kështu edhe Seferi, Asllani, Bajrami e Ramadani. Një skuadër që nuk luan, thjesht pret rastin për të shfrytëzuar kundërsulmin. Kjo Shqipëri na rikthen vite dritë mbrapa dhe ky nuk është një sinjal i mirë në kuadër fushatës së Botërorit 2026.

Nga Pirro Bardhyli