Për të disatën herë gjatë këtyre sezoneve të fundit Egnatia nuk mundi ta thyente Teutën. Në fushën e tyre, kampionët në fuqi nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola, duke shpërdoruar një penallti, ndërkohë që pjesën e dytë e zhvilluan me një lojtar më pak. Në fund të fazës së parë të sezonit të kaluar, kur Egnatia u shpall kampione e vendit, regjistronte të tjera shifra. Natyrisht, më të mira se këtë sezon, ku pas fazës së parë të kampionatit ka grumbulluar 15 pikë dhe mban vendin e 2-të, me pikë të barabarta me Dinamon, kundërshtarin e javës së 10-të. Egnatia e sezonit të shkuar kishte një organikë me më shumë kualitet, ndaj dhe ndryshimi në shifra është i justifikuar, por gjithçka duhet parë në vazhdim të garës, ku nëse nuk ndryshon ritëm, kjo skuadër do ta ketë të vështirë të ruajë kurorën e kampionit. Egnatia e fazës së parë të sezonit të shkuar, që drejtohej po nga trajnerit Edlir Tetova, kishte 19 pikë në tabelën e renditjes, pra 4 më shumë se tani. Diferencë më të madhe ka sa u takon golave të shënuar nga rrogozhinasit një vit më parë, kur ata e tundnin rrjetën 19 herë në 9 ndeshje. Tani kampionët në fuqi kanë shënuar 11 gola në 9 ndeshje, 7 më pak. Interesant është fakti se edhe një vit më parë Egnatia mundej dy herë në fushën e saj gjatë fazës së parë, nga Skënderbeu dhe nga Teuta, por sërish bënte diferencën me skuadrat rivale. Këtë sezon, ose të paktën deri tani, rrogozhinasit nuk e kanë shfaqur atë lojë potente. Egnatia, duke iu referuar deklaratave të trajnerit Tetova, ka nisur një cikël të ri dhe ndoshta duhet pritur për të parë më të mirën, megjithatë shifrat e nxjerrin deficitare në raport me një sezon më parë. Rrogozhinasit do të luajnë sërish në fushën e tyre javën e 10-të, ku do të presin Dinamon, që e mbajnë prapa në renditje falë fitores në ndeshjen direkt në javën e parë, pasi pikët i kanë njësoj. Trajneri Edlir Tetova do të ketë në dispozicion kapitenin Malota dhe mesfushorin Aleksi, të cilët kanë shlyer skualifikimin për kartonë, por do të mungojë mbrojtësi Dylis, i cili u ndëshkua me karton të kuq ndaj Teutës.
sfidanti.al