Liverpuli, me renditjen aktuale, do të ishte skuadra e tretë angleze që do të shkonet direkt në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve. Pavarësisht gabimeve të rënda, siç ishte humbja në shtëpi me Kristal Palasin, skuadra e trajnerit Jurgen Klop po merr dhurata nga nuk e pret. Pasi ndihmën e parë ia dha Mançester Junajtid me barazimin shtëpiak ndaj Suonsit, ja ku erdhi edhe një “e shtyrë” nga Mançester Siti. “Qytetarët” e Pep Guardiolës nuk shkuan më larg se një barazim 2-2 në fushën e Midëllsbrout, ndërsa të gjitha skuadrat duan pikë në këtë fund të sezonit.
Dy herë, Siti u detyrua të reagonte pasi ishte në humbje, fillimisht pas golit të Negredos (barazoi Aguero me penallti) dhe pastaj me anë të Çembërsit. Mendoi braziliani Gabriel Zhezus për të shpëtuar të paktën pikën në minutën e 85-të. Kur të gjitha skuadrat kanë nga 34 ndeshje të luajtura, Liverpuli është i treti me 66 pikë, po aq sa Siti, por duke e lënë prapa ekipin e Guardiolës. Junajtid ka 65 pikë.
Çelsi ndërkaq, u kthye tek fitorja duke fituar 3-0 në një fushë aspak të lehtë, si ajo e Evertonit. U deshën 66’ për të kaluar në avantazh me Pedron, por pastaj shënuan Kejhill në 79’ dhe Uillian në 86’. Çelsi kryeson me 81 pikë.
Sfidanti.al