Disa punëtorë në kantierin e ndërtimit të Camp Nou, stadiumi i Barcelonës që po rinovohet, u përfshinë në një përleshje të dhunshme. Kjo është bërë e ditur nga një burim i policisë katalanase.
Në përleshje janë përfshirë rreth tridhjetë punëtorë, dhe gjashtë persona janë lënduar lehtë, por nuk ka pasur të arrestuar dhe deri më tani askush nuk ka bërë ende ankesë. Ndërhyrja e policisë ishte e nevojshme për të rivendosur qetësinë. Mediat spanjolle raportuan se disa punëtorë, me kombësi rumune dhe shqiptare, përdorën shufra druri si armë gjatë përleshjes dhe se të përfshirët u pushuan menjëherë nga punëdhënësi i tyre, një kontraktor i jashtëm i caktuar nga Barcelona për të menaxhuar punimet e rinovimit.
Klubi katalanas, që nuk ka komentuar për këtë çështje, është zotuar të kthehet në Camp Nou deri në fund të vitit 2024, por ende nuk ka caktuar një datë. Stadiumi legjendar i Barcelonës pritet të rihapet fillimisht me një kapacitet prej 62 mijë vendësh, me synimin për të përfunduar punimet në fillim të sezonit 2026-2027 me një kapacitet të zgjeruar prej 105 mijë. Që nga fillimi i ndërtimit në vitin 2023, Barcelona ka luajtur ndeshjet e saj në shtëpi në stadiumin Olimpik Montjuic.
sfidanti.al