FIFA ka lajmëruar se votimi për vendin organizator të Kupës së Botës duke nisur nga edicioni i 2030-ës dhe 2034-ës do të ndryshojë. Me këto ndryshime mendohet se i hapet rruga fitores së kandidaturës së sauditëve, të cilët kanë ambicie për të organizuar Botërorin e 2034. Për të vendosur vendet organizatore të Botërorit 2018 dhe atij 2022 FIFA kishte organizuar sistem votimi të veçantë për secilin edicion ndërsa tani për Botërorët 2030 dhe 2034 votimi do të jetë një i vetëm. “Times” shpjegon se me ndryshimin e bërë nëse vendet që do të votojnë kundër organizimit të Botërorit 2030 në Spanjë, Portugali dhe Marok atëherë vota e tyre kundër do të llogaritet edhe për kandidaturën e Arabisë Saudite për Botërorin 2034. Ky ndryshim është bërë nga anëtarët e këshillit të FIFA-s dhe u morr në mënyrë unanime në mbledhjen e fundit. Vendet të cila nuk donin që Botërori të organizohej në Arabi Saudite do të mendohen dy herë përpara se të votojnë kundër pasi vendimi i tyre do të prekte direkt edhe kandidaturën e Spanjës, Portugalisë dhe Marokut. Sauditët janë të dëshpëruar që të organizojnë Kupën e Botës duke parë suksesin që i solli ky event fqinjit të vogël të Katarit në 2022.
sfidanti.al