Karamba, talenti i Dinamos

Gasama Karamba luan sezonin e tretë me fanellën e Dinamos, por që tani e ka kaluar minutazhin e sezoneve të shkuara. Mesfushori 19-vjeçar nga Gambia e nisi kampionatin titullar dhe nuk ka lëvizur me nga 11-shja. Deri tani ka luajtur 540 minuta, ndaj 140 minutave të sezonit të shkuar dhe 522 minutave të sezonit 2022-2023 në Kategorinë e Parë. Ndoshta në fillim u aktivizua për shkak të rrethanave, pasi Qefalija ishte i dëmtuar, Toli nuk kishte ardhur akoma në ekip, ndërsa Dita luajti në mbrojtje më shumë. Me ardhjen e trajnerit Ilir Daja, afrikani sërish ka zbritur në fushë nga minuta e parë. Karamba duket se e ka bërë për vete menjëherë trajnerin kryeqytetas, i cili e ka vlerësuar edhe publikisht mesfushorin e ri, dukë thënë se ka aftësi për të luajtur mirë futboll. Me këto ritme, 19-vjeçari mund të bëhet një faktor i rëndësishëm te Dinamoja e këtij sezoni, duke rritur performancën dhe rrjedhimisht edhe interesin e klubeve të huaja. Mosha e re dhe aktivizimi i rregullt janë elementë që do t’ia shtonin ndjeshëm vlerën në treg lojtarit që sezonin e shkuar luante më shumë me Dinamon U-19.

sfidanti.al