Tedesco prezantohet zyrtarisht te Kombëtarja U-17

Andrea Tedesco, trajneri i ri i Kombëtares U-17, ka mbërritur në Shqipëri për të nisur menjëherë për eksperiencën e tij të në krye të kuqezinjve të vegjël. Tedesco merr këtë detyrë në një moment të rëndësishëm me Kombëtaren U-17 që do të marrë pjesë për herë të parë në fazën finale të Kampionatit Europian U-17 të vitit 2025,  që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n.

Në prononcimin e tij të parë për Fshf.org, tekniku italian rrëfeu fillimet e tij si trajner, duke nisur nga Casertana dhe më tej te Napoli dhe Kombëtarja U-19 e Maltës, pas të cilave mori ftesën për drejtimin e Kombëtares U-17. “Kam filluar të trajnoj në Seria C në Itali, me ekipin e Casertana-s dhe më pas kam shkuar në Rumani, në Serinë A rumune me ekipin FC U Craiova, ku kam mbajtur rolin e zv.trajnerit. Pas kësaj eksperience kam nisur të trajnoj fillimisht të rinjtë, si trajner i U-19-ës së Maltës. Më pas kam shkuar te Napoli, fillimisht te ekipi i U-18 dhe më pas kam trajnuar ekipin e të rinjve këtë vit. Ndërkohë erdhi telefonata e drejtorit teknik të FSHF, Fulvio Pea që më krijoi këtë mundësi për të ardhur këtu dhe për të drejtuar kombëtaren U-17 të Shqipërisë”, – u shpreh Tedesco, i cili ka një eksperiencë të vyer në punën me të rinjtë.

Më tej, ai u ndal me gjatë te akordi me Federatën Shqiptare të Futbollit për rolin e trajnerit të Kombëtares U-17 dhe rëndësinë e organizimit të finaleve të Kampionatit Europian për U-17 në Shqipëri vitin tjetër. “Kur kam komunikuar me FSHF-në nuk kishte shumë për t’u thënë, pasi kemi rënë shpejt dakord, e më pas janë dashur disa javë për të përfunduar negociatat. Sigurisht, e kuptoj rëndësinë e madhe që ka të punosh me Kombëtaren U-17, sepse është një moment historik për komunitetin futbollistik, për të gjitha mundësitë që do të kemi, për ata që dalin në fushë, për të gjithë skuadrën, drejtuesit dhe vetë Federatën. Është hera e parë që Kombëtarja U-17 merr pjesë në finalet e një Europiani, për më tepër që luan në shtëpi dhe para publikut të vet, dhe jam i bindur të gjithë tifozët, familjarët dhe lojtarët vetë kanë privilegjin për të luajtur ndeshjet e grupeve dhe do të jenë shumë të lumtur dhe do të japin gjithçka. Edhe ne si staf do të japim gjithçka”, – theksoi tekniku italian.

Tedesco theksoi gjithashtu që futbolli në Shqipëri ka pësuar një rritje të dukshme dhe që përfaqësimi i vendit në një kompeticion europian është një privilegj. Është e dukshme që futbolli në Shqipëri është rritur gjatë viteve të fundit, qoftë falë investimeve që vijnë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe klubet e shumta. Ndaj, të jesh këtu është privilegj dhe krenari dhe do të bëjmë gjithçka për ta përfaqësuar këtë komb me anë të futbollit, kur të vijë mundësia për të luajtur ndeshje dhe për t’iu afruar një kompeticioni europian”, – shtoi trajneri i Shqipërisë U-17.

Sakaq, tekniku Italian ndau me ndjekësit e fshf.org edhe një detaj interesant sa i përket origjinës së tij, që është pjesërisht shqiptare, ndërsa vlerësoi atmosferën që ka gjetur në Shqipëri pas mbërritjes dhe mezi pret fillimin e punës me ekipin kombëtar U-17.

“Unë kam një origjinë të vogël shqiptare, pasi gjyshi im ishte pjesë e komunitetit arbëresh në Kalabri, ndaj me shumë mundësi ka qenë fati që më ka sjellë në këtë vend, ku po ndihem shumë mirë.

Kam 24 orë që jam këtu, kam njohur shumë njerëz që janë shumë të sjellshëm, të gjithë bashkëpunëtorët, media, trajnerët dhe të gjithë stafin me të cilët do të punoj në vazhdim. Mezi pres të fillojmë me ndeshjet. Në datën 12 gusht kemi stërvitjen e parë me një pjesë të skuadrës dhe jam shumë kurioz të njoh lojtarët, të shkoj në fushë dhe të trajnoj”, – thotë Tedesco.

Në fund, trajneri italian u shpreh se ka ambicie dhe mentalitet fituesi dhe që fokusi duhet të jetë te krijimi i një identiteti në skuadër, të punohet për të rritur nivelin e Kombëtares U-17 dhe të lërë një gjurmë në futbollin shqiptar përgjatë finaleve të Europianit.

“Kam një mentalitet fituesi dhe ambicioz. Sigurisht, e kuptoj që grupet do jenë të vështira për t’u përballur, por e rëndësishme është t’i japim identitet skuadrës dhe lojtarëve dhe që të kemi paraqitje të mira, edhe për perspektivën e të ardhmes, pasi e dimë që futbolli nuk mbaron me U-17-n, por duhet të provojmë të rrisim Kombëtaren U-17 për Kombëtaren A dhe duke u dhënë sa më shumë elementë të rëndësishëm këtyre djemve që do të luajnë një mundësi të rëndësishme.

Personalisht, uroj që eksperienca ime këtu të jetë e dobishme për mua, fillimisht për rritje profesionale, por edhe të arrij t’i lë diçka kësaj federate që më ka dhënë këtë mundësi, për të luajtur në një Europian”, – shtoi më tej trajneri i Shqipërisë U-17. Trajneri i ri i ekipit Kombëtar U-17, Andrea Tedesco, do të qëndrojë në Tiranë përgjatë kohës që do të drejtojë ekipin, për të qenë i angazhuar me përgatitjet për finalët evenimentit madhor që zhvillon FSHF dhe UEFA në Shqipëri, Kampionati Europian U-17.

sfidanti.al