Driton Kuka: Kosova me bilanc të jashtëzakonshëm në olimpiadë

Trajneri i xhudos, Driton Kuka ka thënë se paraqitje e Kosovës deri më tani në Lojërat Olimpike në Paris mund të cilësohet e jashtëzakonshme dhe shumë emocionale gjithashtu për të gjitha garuesit dhe trajnerët. Ai ka lavdëruar Distria Krasniqin dhe Laura Fazliun për sukseset e tyre duke thënë se përkushtimi i tyre në punë solli këto rezultate.

 

“Është bilanc i shkëlqyeshëm, bilanc jashtëzakonisht i mirë për Kosovën, po vazhdon një trend i medaljeve olimpike i shtetit tonë, u nis në Rio, vazhdoi në Tokio dhe tash edhe në Paris, e jashtëzakonshme, emocionuese, ditë të cilat faktikisht secila ditë në vete i ka storiet e veta, Distria e nisi bukur, shkoi deri në finale, në finale pësoi humbje por ishte e shkëlqyeshme, ajo ka hyrë në historinë e sportit të xhudos në botë, është ndër garueset e rralla, nëse jo e vetmja e cila ka medalje olimpike në të dy kategoritë e ndryshme për vajza”, tha Kuka.

Ai ka folur edhe për dështimin e Akil Gjakovës për të fituar medalje olimpike. “Akil Gjakova është ajo storia e cila mua personalisht po më bën të ndihem jashtëzakonisht me emocione negative për shkak se e meritoi medaljen olimpike, ndoshta edhe të artën. Ka luftuar si një luan, ka luftuar me masonat e xhudos botërore, ka qenë impresiv, atraktiv, të gjitha mediat kanë shkruar për performancën e tij, arriti deri në gjysmëfinale në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Kuka.

 

sfidanti.al