Joakim Lëvi në vend të Zinedin Zidanes tek stoli mbretëror ?

Nuk është e lehtë që të jesh trajner i Realit të Madridit. Zinedin Zidane, deri para “El Klasikos”, konsiderohej një strateg gjenial, por i gjithë imazhi i këtij strategu francez ndryshoi “brenda natës”, mbas golit të sekondave të fundit të Lionel Mesit në derbin e madh në “Santiago Bernabe”. “Mbretërorët”, tani, nuk janë më të sigurtë se do të mund ta fitojnë titullin e kampionit, ndërkohë që media ka nisur me breshëri kritikat kundër trajnerit ë Realit. Gazeta “Marka” e akuzoi direkt Zidanen si fajtorin kryesor për humbjen, ndërsa gazeta tjetër kryesore, “As”, publikoi një lajm se “mbretërorët” po përgatisin zëvendësimin e Zizus, në rast se ai bën ndonjë gabim tjetër të madh deri në fundit të sezonit, në të cilin Reali po lufton për titullin në Primerë, si edhe që të mbrojë titullin e kampionit të Ligës së Kampioneve.

Trajneri gjerman, Joakim Lëv, është një specialist, tek i cili presidenti Florentino Perez, sipas disa mediumeve spanollë, sheh planin “B”, nëse Zidane nuk i përmbush shpresat që janë venë tek ai. Jozyrtarisht, thuhet se, tanimë, është realizuar edhe kontakti i parë që tregon se për këtë specialist të njohur gjerman ka interes në “Santiago Bernabe”, por, se, sidoqoftë, klubi madridas nuk do që t’i intensifikojë bisedimet pa mbaruar sezoni i tanishëm. Lëvi, në fakt, ka një kontratë me përfaqësuesen gjermane deri në vitin 2020, por, gjithashtu, kjo kontratë përmban edhe një klauzolë që e çliron atë nga detyrimi, nëse ai do të marrë ofertë nga ndonjë klub i madh evropian, si Reali, Barcelona, Bajerni ose Mançester Junajtid. Ky fakt, më siguri, që do të jetë një presion suplementar i ushtruar mbi Zidanen në këtë sezon plot strese, kështu që duhet të shihet sesi do ta zgjidhë ai situaën e krijuar, duke filluar, qysh këtë të mërkurë, me ndeshejn me La Korunjën. Sfidanti.al