Në futbollin shqiptar, koncepti i skuadrave të mëdha dhe atyre të vogla bazohet kryesisht në historikun e klubeve dhe me një arkiv të pasur sigurisht që kanë emra si Tirana, Partizani, Dinamo apo Vllaznia por sa herë bëhet fjalë për Europën, ky koncept fshihet si me magji. Psh. Tirana dhe Partizani, dy prej flamurmbajtëseve të futbollit shqiptar, bëjnë të “fortin” vetëm brenda kufijve pasi në ndeshjet europiane, asnjëherë arritjet e tyre nuk kanë qenë në nivelin e atyre kombëtare. Gjatë 34 viteve të pluralizmit politik kur edhe kufijtë janë hapur e futbolli u ka dhënë të drejta të barabarta të gjithëve, asnjëherë këto dy klube nuk e kanë bërë dot hapin e madh për të synuar minimalisht fazën e grupeve çka e ka bërë Skënderbeu i Korçës dhe e ka tentuar madje edhe Kukësi. Përse Tirana dhe Partizani apo edhe Vllaznia e Dinamo janë të “turpshme” kur dalin jashtë kufijve? A ka ardhur koha që dikush t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje? Në rast se nuk mund të flasim qartësisht për këtë “problem”, atëherë ndoshta ka ardhur koha të konsiderojmë edhe statusin e klubeve “legjendare” në vend.
Nga Pirro Bardhyli