Skuadrat shqiptare do të mësojnë sot kundërshtarët e raundit të tretë në Conference League, me shortin që do të hidhet në Nyon të Zvicrës duke filluar prej orës 14:00. Egnatia, Partizani, Ballkani, Drita, Llapi, Struga dhe Deçiq janë shtatë skuadrat mbarëshqiptare që presin rivalët e mundshëm europianë të raundit të tretë. Por më parë duhet të sigurojnë kalimin në këtë tur. Me shumë mundësi, nëse ekipet shqiptare kalojnë raundin e dytë, në të tretin mund të kemi një derbi shqiptar. Struga dhe Ballkani, kampionët e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, mund të përballen me Egnatian ose Deçiq, kampionët e Shqipërisë dhe Malit të Zi. Gjithmonë nëse arrijnë t’i kalojnë pengesat e radhës. Sa i përket Partizanit, që në raundin e dytë do të sfidojë gjeorgjianët e Iberia 1999, turi i tretë mund ta gjejë përballë rivalëve izraelitë. Ose me Astanën e Kazakistanit, ekip me të cilin “Demat” u sfiduan në “play-off” vitin e kaluar.
sfidanti.al