Futbolli i halleve! Në Euro dështojmë edhe me klubet

Nëse nuk do të ishte për atë sakrifocë ekstreme të Partizanit për të mundur një skuadër gjysmë-amatore në Maltë, emrin e së cilës rrezik nuk dinë ta thonë me saktësi as vetë vendasit, futbolli shqiptar sot do të ishte zgjuar me një rekord negativ të paprecedentë në histori. Tre nga katër ekipet e Superiores dështuan në misionin për të kaluar raundin e parë dhe lajmi i keq në këtë mes është se përballë kishin ekipe në kufijtë e profesionistëve e për këtë duhet të reflektojnë të gjithë.

Ndoshta nuk është vendi për të kritikuar formulën e Superiores të mbrojtur me aq zell  nga shpikësit e saj, por rastësia e do që ky dështim ka ardhur menjëherë pas sezonit eksperimental që këtë vjeshtë do të rikonfirmohet. Tirana me 1 mijë halle siguroi një kualifikim të pamerituar në fushë por që nga të gjithë u konsiderua si oksigjen për financat e klubit por me shumë mundësi, eleminimi i shpejtë nga Europa e zhyt edhe më shumë në halle e tani presidenti Halili duhet të rikthehet të mendojë edhe për problemet me ligjet.

Dështimin më të madh e regjistroi Vllaznia që pas barazimit të parë në Islandë, dhuroi një “show” me “poker” të panevojshëm për shkodranët që rrezik se do ta harrojnë lehtë në këtë mes-korriku të nxehtë. Egnatia nuk ia doli gjithashtu edhe pse përballë kishte kampionët e Bosnje Hercegovinës, kundërshtar mëse i kalueshëm. Më shumë se rezultati, në Rrogozhinë duhet të shqetësohen për mënyrën se si i interpretuan këto dy ndeshje, ndërsa kampionët e Shqipërisë me këtë nivel futbolli janë një lokomotivë pa busull dhe tregues shqetësues për gjithë futbollin shqiptar.

sfidanti.al