Vllaznia rrezikon ndeshjen europiane prej…kërcënimeve në Islandë

Çfarëdo që skuadra e Vllaznisë bëri mirë në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Valurit në Islandë, është vënë në rrezik nga reagimi i tifozëve dhe stafit të saj pas ndeshjes në fjalë. Incidentet në tribuna aludohet se janë pasuar me të tjerë në ambiente e brendshme të stadiumit dhe pala islandeze ka denoncuar se ka marrë kërcënim me vdekje nga një pjesëtar i stafit të Vllaznisë. Një ngjarje e rëndë që tashmë sipas mediave ndërkombëtare ka përfunduar jo vetëm në lupën e UEFA-s që po bën gati sanksionet, por edhe të Interpolit, që kërkon të shohë se sa konkrete janë këto kërcënime për të cilat flet klubi i Valur, para ndeshjes së kthimit të të enjtes që tashmë është në rrezik. “Daily Record” bën të ditur se si UEFA, ashtu edhe Interpoli, po hetojnë ngjarjet “pas kërcënimeve me vdekje që aludohet se janë bërë nga një anëtar i bordit të Vllaznisë dhe një nga tifozët kërcënoi që do të godiste në sy një stjuard”. “UEFA raportohet se po merr në konsideratë sanksionet me të cilat të godasë klubet dhe është sugjeruar në mediat islandeze se ata mund të lëvizin ndeshjen e kthimit nga qyteti i Shkodrës”, shkruan e përditshmja britanike.

sfidanti.al