Uzuni nuk merr pjesë në testet te Granada

Një kategori më poshtë, Granada nuk ia doli të mbijetonte dhe luajti vetëm një sezon në La Liga. Tashmë, skuadra spanjolle po bëhet gati për sezonin e ri dhe dje lojtarët kanë zbarkuar në ambientet e klubit për të kryer ekzaminimet mjekësore përkatëse, të cilat bëhen një herë në vit. Nga të gjithë futbollistët, sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, nuk u vu re prezenca e Myrto Uzunit dhe Luka Zidane, ky i fundit djali i legjendës Zinedin Zidane që luan si portier te Granada.

Gjithsesi, për t’u rikthyer te lojtari i Kombëtares, Uzuni është ende me pushime dhe mosparaqitja në klubin me të cilin ka edhe dy vite kontratë, është edhe një sinjal që sulmuesi mund të largohet në një skuadër tjetër, pse jo në elitën spanjolle. Diçka të tillë, mund ta realizojë pagimi i klauzolës, e cila sipas kushteve të kontratës është 12 milionë euro. Pra, kushdo që kërkon Uzunin duhet të paguajë këtë shifër për ta bërë lojtarin pjesë të skuadrës. Myrto shkëlqeu në Ligën e Dytë me Granadën, duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë në kampionat me 23 gola, një precedent i mirë ky, por jo vetëm pasi sezonin që lamë pas, beratasi regjistroi 11 gola në 34 ndeshje, edhe pse në ndeshjet e fundit, u pengua nga një dëmtim kronik në tendinë. Një tjetër “goditje” ishte edhe lënia jashtë nga trajneri Silvinjo për Europianin e Gjermanisë, megjithatë, tashmë gati 100 për qind, Uzuni është gati për sezonin e ri, qoftë ai te Granada apo te një ekip i ri. Interesimet nga disa klube në La Liga ka pasur, por edhe nga Arabia Saudite nuk mungojnë ofertat. Sakaq, të gjithë presin se ku do të luajë sezonin e ri Myrto Uzuni.

sfidanti.al