Skuadra Kombëtare zhvilloi testin e parë miqësor nga dy në total përpara sfidave europiane dhe emri i kundërshtarit ishte një nga më të dobëtit e mundshëm. Lihtenshtejni me numër banorësh sa një qytet mesatar shqiptar u përpoq të vendoste barrierën por në momentet më vendimtare, tre njerëzit të cilëve u duhej më shumë goli, arritën të shënonin duke evituar që me kalimin e minutave situata të bëhej e komplikuar. Broja tregoi edhe një herë se nuhatja e golit e talenti nuk i mungon por problemet ia ka kryesisht në kokë.Ndërsa Asani, sidomos me goditjet, dhe Muçi mbeten të rëndësishëm për këtë skuadër. Një 90 minutësh shkrydhës dhe relaksues , ku Shqipëria nuk vuajti por as u djersit pasi sfida e parë me Italinë është pas derës dhe energjitë janë të rëndësishme.
Ndeshje e disiplinuar dhe me një sinjal pozitiv për të ardhmen. Përballe skuadrave të tilla të vogla, Shqipëria di të sillet si e madhe pasi me durim arriti të gjente kodin e mbrojtjes së modestëve nga zemra e alpeve e kështu mund të ndodhë në eleminatoret e ardhshme ndaj skuadrave më të dobëta në letër ndaj të cilave Shqipëria nuk është shfaqur në këtë format, e duruar për të zhbllokuar sfidën. Gjithsesi, duhet të jemi të vetëdijshëm se Italia, Kroacia e Spanja janë një histori tërësisht ndryshe…
Nga Pirro Bardhyli