Brajan Gruda bashkohet me Gjermaninë për herë të parë, duke shuar përfundimisht edhe ato pak shpresa që mund të kishte për ta parë sulmuesin e Mainz të veshur me fanellën kuqezi. Gjatë ditëve të fundit, mediat kishin nisur të aludonin rreth një vizite të mundshme të Sylvinhos në Gjermani e madje ato shkuan edhe më tej duke shtuar se trajneri e kishte bindur talentin shqiptar të rritur në Gjermani për të hequr dorë nga dëshira e për të zgjedhur ëndrrën e popullit të tij por në fund kjo rezultoi thjesht një dëshirë dhe asgjë më shumë.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se futbolli profesionist sot është i pamëshirshëm me djem të tillë të cilët e kanë më të lehtë të zgjedhin një fanellë të rëndë për t’u mbrojtur dhe ruajtur një status më të privilegjuar. Realiteti është se të gjithë e dëshirojnë një Grudë të Gjermanisë sesa një Grudë të Shqipërisë. E njëjta logjikë funksionoi edhe për shumë “gjermanë” të tjerë si Oezil, Khedira, Gundoghan apo Emre Can e Shkodran Mustafi prandaj duhet të bëjmë paqe e të shikojmë përpara sepse përndryshe rrezikojmë të na përndjekin sërish historitë e Xhakës, Shaqirit apo Behramit.
sfidanti.al