Koman rrezikon Euro 2024

Telashe në horizont për yllin e Francës, Kingslei Koman. Futbollisti i Bajern Mynih, ka qenë në luftë me kohën për t’u bërë gati për Euro 2024, për shkak të një dëmtimi që pësoi rreth katër muaj më parë. Por tani plani i tij mund të dështojë plotësisht, pasi ai ka pësuar sot një tjetër dëmtim. Futbollisti po riaftësohet në ambientet e klubit të Bajern Mynih në pritje të fillimit të grumbullimit të Francës. Por gjatë seancës me përgatitësin atletik, ai ndrydhi keq gjurin dhe u rrëzua në tokë. “Ulërimat e tij nga dhimbja ishin shumë të larta, u dëgjuan kudo në ambientet stërvitore”, shkruan “BIld” që ka postuar edhe fotot e momentit kur Koman ishte në tokë duke mbajtur gjurin. Një nga mjekët e skuadrës shkoi menjëherë ta shihte dhe më pas lojtari u largua nga fusha stërvitore duke çaluar, por në dukje i dëshpëruar. Tani mbetet të shihet nëse Koman do të jetë në gjendje t’i bashkohet apo jo Francës. Por ndërkohë, Didier Deshamp i ka paraprirë çdo situate duke lajmëruar Xhordan Veretu që të jetë në gatishmëri për të marrë vendin e anësorit të Bajern.

sfidanti.al