Është luajtur të dielën edhe sfida e dytë e gjysmëfinaleve të “Final 4”, apo thënë shqip, “4-shes finale” të Kategorisë Superiore, që, falë shortit të hedhur të hënën, ka vënë përballë Egnatian e vendit të parë dhe Vllazninë e vendit të 3-të. Dueli i zhvilluar në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet ka parë një lojë të hapur në pjesën e parë, duke dhënë sinjale që në minutat e para, kur Gruda vë në provë portierin shkodran të rrogozhinasve, Alen Sherrin, në të dytën, ndërsa në krahun tjetër, Zejnullai provon në të 4-tën, por pa rezultat.
Ndreca e vë në provë portierin e Vllaznisë, Qarri, në minutën e 15-të, ndërsa Bekim Balaj nuk e gjen kuadratin dy minuta më pas në skajin tjetër. Minuta e 18-të sjell golin për Egnatian, teksa Zejnullai mposht me një goditje në kufijtë e zonës Qarrin, por, pasi është konsultuar me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), kryesori Xhaja konstaton një prekje e topit me dorë gjatë aksionit nga Ibrahimollu, duke e bërë të pavlefshëm golin. Minutat e mbetura të pjesës së parë do të shohin skuadrën shkodrane që ta synojë gjithnjë e më tepër portën kundërshtare dhe kanë qenë 3 raste të volitshme për shënim, sidomos ai i minutës së dytë shtesë, por asnjëra skuadër nuk arrin ta gjejë golin dhe pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Ajo e dyta do të shohë një lojë edhe më të hapur, edhe më të luftuar dhe më minutën e 52-të, Qarri bën heroin me një devijim akrobatik, ndërsa Fernando gabon para portës 10 minuta më pas, ashtu siç nuk e gjen kuadratin në të 68-ën as Ibrahimolluja. Egnatia e gjen sërish golin 12 minuta para fundit, por Montenegro ishte në pozicion jashtëloje, ndërsa në skajin tjetër, Balaj gabon me një goditje me kokë. Përtej 10 minutave të mbetura të kohës së rregullt dhe 6 minutave shtesë që janë bërë 9, nuk ka gola në “Arenën Kombëtare” midis Egnatias dhe Vllaznisë dhe, falë formulës së “4-shes finale”, janë rrogozhinasit që shkojnë në finalen e madhe të titullit më 26 maj përballë Partizanit.
sfidanti.al