Për Egnatian janë ditë delikate pasi triumfi në finalen e Kupës së Shqipërisë mund të pasohet edhe nga ai në Superiore. Suksese këto, të cilat mund të bënin sezonin të paharrueshëm për Tetovën.
Në vigjilje të ndeshjes mes Egnatias dhe Vllaznisë, trajneri rogozhinas u përgjigj kështu për gjendjen fizike të skuadrës pas finales së Kupës të fituar përballë Kukësit. “Gjendja e skuadrës është e mirë, pasi i gjithë grupi është gati për të luajtur nga minuta e parë. Lojtarët e Egnatias edhe pse kanë luajtur shpesh gëzojnë një formë që më ka kënaqur në çdo seancë stërvitore. Dëshiroja shumë që ta kisha ekipin e plotë dhe fatmirësisht futbollistët e mi janë gati për duelet e ‘Final 4’”, tha Tetova.
I pyetur se si do të ndikonte aktivizimi i Aleksit në formacion, Tetova tha: “Sa i takon vendosjes në fushë e lojës ende nuk kam përcaktuar formacionin, pasi më duhet të bëj llogaritë ditën e ndeshjes. E rëndësishme është që do të luajnë ata futbollistë që kanë treguar vazhdimësi dhe gëzojnë formën më të mirë në këto momente. Aleksi do të jetë i gatshëm për ekipin dhe për ne është një lajm i mirë pasi dihen vlerat e tij”.
Në fund Tetova tregoi se si ka motivuar të tijtë përpara ndeshjes me Vllazninë: “I kam kërkuar përqendrim maksimal për ta mbyllur me dinjitet sezonin. I gjithë mundimi i këtij sezoni, duhet shpërblyer me rezultate të kënaqshme në përballjet e “Final 4”. Shoh tek lojtarët përkushtim dhe dëshirë për të vijuar përpara. E dimë që Vllaznia është një ekip solid, por ne duam të shkojmë në finale për të fituar trofeun”.
sfidanti.al