Nadal i jep lamtumirën turneut të shtëpisë

“Faleminderit Rafa”. Vetëm kaq mund t’i thoshin të gjithë tifozët, beniaminit të tyre, Rafael Nadal, pasi ky bëri ndeshjen e fundit në fushën Manolo Santana, gjatë turneut Open 2024 të Madridit. Mëngjarashi 37-vjeçar me ndeshjen ndaj Lehekas, u eliminua në 1/8 e turneut të Madridit. Çeku 22 vjeçar, i 31-ti në botë, mundi 2-0 fituesin e 22 Grand Slameve, pikërisht përpara një publiku të përkushtuar ndaj idhullit spanjoll. Brohoritjet e tyre nuk mjaftuan që Nadal të arrinte mrekullinë e rikthimit. E pavarësisht humbjes, në fund të gjithë spektatorët u ngritën në këmbë duke duartrokitur, aq sa dukej sikur kishte fituar Nadali. “Jam i lumtur. Ishte një javë shumë e veçantë për mua, shumë pozitive në çdo drejtim. Munda të luaj sërish në një fushë që më ka dhënë shumë, edhe në nivel emocional. Ka qenë e paharrueshme dhe mund të them vetëm faleminderit. Ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm” – tha Nadal në fushë, ndërsa i gjithë ekipi i tij e familja ishin të mallëngjyer. Ai nuk kishte ardhur për të ngritur trofeun, edhe pse e mori një dhuratë, por për të përjetuar edhe njëherë emocionet e publikut madrilen e për t’u ndjerë konkurrues. E rëndësishme është që mëngjarashi spanjoll. ish-numri një i botës nuk shfaqi lodhje apo dhimbje të tepruar gjatë ndeshjeve në Madrid. Shenja të mira këto për turneun e Romës, që nis javën e ardhshme, për të synuar më pas Roland Garros, që nis nga 26 maji. Megjithatë në Madrid ai do të mbahet mend përgjithmonë.

sfidanti.al