Paris 2024, 50 mijë dollarë për sportistët fitues të atletikës

Atletika do të bëhet disiplina e parë që do të caktojë çmime në vlerë monetare për fituesit në olimpiadë. Ky vendim do të hyjë në fuqi duke nisur që prej olimpiadës së kësaj vere, Paris 2024. Plot 2.4 milionë dollarë do të shkojnë për të gjithë medalistët e artë dhe kjo është një shumë që do të shpërndahet çdo katër vjet. Në terma më konkretë, do të thotë që çdo fitues në kategorinë e atletikës të fitojë 50 mijë dollarë ndërsa të njëjtën shumë do të përfitojnë edhe fituesit e garave ekipore dhe më pas ajo do të shpërndahet mes fituesve. Bëhet fjalë për plot 48 evente brenda dhe jashtë pistës së stadiumit olimpik. Ky është konsideruar një projekt pilot që mund të bëhet shkas edhe për vendime që në të ardhmen do të prekin sporte të tjera olimpike, ndërsa Federata Botërore e Atletikës thekson se vendimi tregon rolin shumë të rëndësishëm dhe kryesor që atletika ka në lojrat olimpike. Lojrat olimpike Paris 2024 do të startojnë zyrtarisht në datën 26 korrik me ditën e fundit në 11 gusht.

sfidanti.al