Nga Turbina te Flamurtari për pak javë dhe më pas me destinacion përfundimtar Skënderbeun për të mbushur arkat e klubit korçar. Kjo është historia e sulmuesit 22-vjeçar, Namdi Frenklin Ahanonu, i cili pas vetëm 7 muajsh pjesë e Skënderbeu, arrin të shitet nga presidenti Ardjan Takaj, te skuadra e madhe kazakistanase, Astana. Burime zyrtare në klubin e Skënderbeut, konfirmuan për “Panorama Sport” se dje është mbyllur me sukses “operacioni” për transferimin e Frenklit te Astana, pas bisedimeve të shumta mes dy klubeve. Në Kazakistan kampionati ka vetëm tri javë që ka nisur, ndërsa edhe afati i transferimeve të lojtarëve ishte në limite, por në kohë rekord klubet kanë mbyllur marrëveshjen dhe sot Frenklin do të udhëtojë drejt Astanës. Nga ky transferim Skënderbeu do të përfitojë 600 mijë euro, ndërsa mes klubeve është rënë dakord që një përqindje e kartonit të nigerianit t’i mbetet korçarëve. Detajet zyrtare do të bëhen të ditura sapo Frenklin të mbërrijë në Kazakistan, ku do t’i nënshtrohet testeve mjekësore dhe më pas do të prezantohet zyrtarisht nga Astana. Mësohet se vetë lojtari do të firmosë një kontratë 4-vjeçare, nga e cila pritet të marrë rreth 14 mijë euro neto në sezonin e tij të parë.
SHKËLQIMI NË PAK MUAJ Frenklin Ahanonu shkëlqeu te korçarët në pak kohë, edhe pse fillimisht pati një stepje për të. Vlera e nigerianit i njihte mirë drejtori sportiv, Ardi Gjançi, i cili insistoi për ta transferuar te Skënderbeu, pasi më parë e kishte menaxhuar kur ishte pjesë e Turbinës. Flamurtari ishte klubi që fillimisht arriti marrëveshje me Frenklin, por një dëmtim që pësoi 22-vjeçari në fazën përgatitore, bëri që vlonjatët të ndryshonin mendje, në një kohë që sezoni nuk kishte nisur ende. Mirëpo, në skenë doli Skënderbeu, që pasi i bëri kontratë dhe e federoi, u deshën dy muaj që t’i jepej shansin. Trajneri Ivan Gvozdenoviç e aktivizoi për herë të parë më 28 tetor 2023 në ndeshjen kundër Egnatias, që përfundoi 1-1 dhe golin e barazimit e shënoi në kohën shtesë pikërisht Frenklin. Debutimi mbresëlënës dhe nuhatja e tij për golin bëri që trajneri i korçarëve të besonte gjithnjë e më shumë në vijim te nigeriani. Shifrat ishin të gjitha për Frenklin, pasi shënoi 9 gola në 18 ndeshje, nga të cilat vetëm 14 herë luajti si titullar. Ai largohet tashmë si golashënuesi më i mirë i Skënderbeut në pikën më kulmore të sezonit. Mirëpo, në Korçë fërkojnë duart, pasi i besuan dhe tani do të përfitojnë plot 600 mijë euro. Një shifër e konsiderueshme për një lojtar që qëndroi vetëm 7 muaj në Korçë dhe klubi bëri një biznes perfekt, duke e shitur shpejt.
sfidanti.al