Skënder Gega zbulon: E kam vendosur, nuk do ulem më në stol

Rrëfehet Skënder Gega, karriera, Kombëtarja por dhe… paradokset e infrastrukturës në Superiore. I pranishëm në emisionin “Zona30” në RTSH, ish-lojtari dhe trajneri i njohur, kampion me Partizanin, ka zbuluar se ka hequr dorë nga profesioni i trajnerit. “Profesioni i trajnerit është si puna e atyre që pijnë cigare. E ka të shkruar: mos e pi se të dëmton, por… Futbolli ka stresin e vet, ka emocionet e veta, por e kam vendosur, e kam vendosur që të mos ulem më në stol, ndoshta në ndonjë projekt tjetër, por jo në stol. Kjo ka qenë zgjedhja më e mirë, të qëndroj larg stolit, por jo larg futbollit”. Kombëtarja dhe Silvinjo – “Kemi problem të mëdhaja në ndarjen e meritave, por unë mendoj se Silvinjo ka meritat kryesore. Kur arrihet suksesi, secili thotë: e bëra unë pjesën time dhe kështu duhet të funksionojë. Por fakti është që Silvinjo ia doli, ia doli me shumë skeptikë, jo ska patur karrierë… E ndërtoi ekipin, i mori maksimumin. Mënyra se si luajti, pa limitet e secilit. Duhet t’ia lëmë meritat atij dhe institucionit që është”. Infrastruktura në Superiore – “Shikoj në Superiore që dy apo tre ekipe nuk kanë fusha. Ky është paradoksi më i madh që ndodh ndoshta në vendet afrikane. Ky është regres dhe ndoshta është momental, por është pa standarte. Është një kampionat ku shikon Erzenin duke kërkuar fusha, apo Dinamon, Tirana është bllokuar, nuk e di përse, është shumë regres i madh. Gënjehemi me ‘Air Albania’, shkojmë aty dhe i harrojmë hallet që kemi, por kur del nga aty pastaj është komplet gjë tjetër. Por teknikisht besoj se është e pashmangshme të mos ecësh përpara”.

sfidanti.al