Plej ofi nuk i bën mirë Uestbrukut, Harden fiton duelin e parë!

Diferenca ishte e madhe, kolektivisht dhe personalisht. Rasëll Uestbruk e humbi në mënyrë të dyfishtë duelin me Xhejms Hardenin, rivalin e tij më të madh për titullin e Lojtarit më të mirë të Sezonit në NBA. “Mjekra” Harden shënoi 37 pikë dhe dha 9 asistë, ndaj vetëm 22 pikëve të Uestbrukut, që gaboi shumë në gjuajtje (6 realizime në 23 tentativa). Hjuston shfrytëzoi më së miri faktorin fushë duke triumfuar 118-87, me mbi 30 pikë diferencë në ndeshjen e parë të raundit të parë të plej ofit.

Harden nuk ishte vetëm, pasi krah tij luajti shkëlqyeshëm edhe Pat Beverli, që shënoi 21 pikë dhe kapi 10 topa në tabela, por sidomos mbuloi nga afër Uestbrukun. Me shaka, mediat shkruajnë se nuk arriti ta ndalonte vetëm kur u ul në stol pasi mori një goditje në shpinë. Uestbruk kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 7 asistë, por gaboi në gjuajtje, si dhe e humbi topin plot 9 herë.

Hjustoni bëhet një tjetër ekip pretendent që fiton, pas Klivlendit, San Antonios dhe Golden Stejtit. Deri tani, vetëm dy nga favoritët kanë humbur, Los Anxhelos Klipersi dhe Bostoni.

Sfidanti.al