Nuk ka qenë kënaqësia e fushës së futbollit, por ka qenë padyshim një lumturi të shikoje skuadrat që e kishin në stol. Arrigo Saki ka hyrë në historinë e lojës më popullore të botës nëpërmjet rrugës më të vështirë të mundshme, asaj të zbukurimit të “topkëmbës” së konservatorëve më të mëdhenj të lojës së pabukur, të italianëve. Fakti që ia arriti në Apenine e bën ndër trajnerët më të shquar të të gjitha kohëve.
Intervistën e fundit për mediat italiane e nis duke rrëfyer sesi, pas barazimit 1-1 të Milanit të tij në Madrid me Realin në 1989 në Kupën e Kampionëve, Emilio Butragenjo iu afrua dhe i tha: “Nuk kam parë kurrë një skuadër të bëjë këtë që bëri Milani juaj”. Edhe pse, Saki kujton me më shumë kënaqësi fitoren 5-0 të ndeshjes së dytë, sërish fjalët e Butragenjos bëjnë speciale pikërisht ndeshjen e parë.
Në karrierë pati në dispozicion yje të mëdhenj, ndërsa kujton atë që e frymëzoi mbi të gjithë, Johan Krujfin. “Një nga tre lojtarët më të mirë të të gjitha kohëve, – gjykon Saki, – ishte edhe trajner i madh. Për futbollin e tij, bukuria ishte themelore”. Po Van Basten? “Erdhi në Itali duke na paragjykuar, por më pas tha se tek Milani kënaqej më shumë sesa tek Holanda”, – janë fjalët e Sakit.
Së fundi, Roberto Baxho. “Një talent i madh i përdorur keq ngaqë shumë trajnerë i thoshin të bënte atë që donte, – kritikon ai, – veçse, futbolli është lojë kolektive. Baxho është një nga më të mëdhenjtë e 40 viteve të fundit, por nëse do të kishte lindur jashtë Italie, do të ishte bërë më i madh”.
Sfidanti.al